Konfindustria, mbështetur në zhvillimet e
fundit dhe shqetësimet e biznesit, i kërkon ekzekutivit, që të lehtësojë masat
anticovid në fuqi të vendosura ne fund të muajit maj 2021 nga Komiteti i
Ekspertëve.
Është e papranueshme, që Komiteti i Ekspertëve
të marri vendime në afatgjatë dhe larg zhvillimeve dinamike të përditshme,
sikurse janë masat e fundit ndaluese për biznesin dhe qytetarët për muajt qershor
dhe korrik, që përbëjne gjysmën e kohës së sezonit turistik 2021.
Në rradhë të parë, kërkohet heqja e plotë e
orës policore nga 23.00-06.00, për të bërë të mundur qarkullimin pa pengesa në
territor. Eshtë e arsyeshme, që qytetarët dhe bizneset të mos kenë asnjë pengesë,
qoftë edhe thjesht burokratike, të jenë të lirë të lëvizin pa kufizime kohore të
papërligjura. Gjithashtu, kërkohet, që të rishikohet drejt zgjerimit deri në heqje
të plotë të kufizimeve kohore për aktivitetet e biznesit.
Konfindustria vlerëson, se përmirësimet e
ndjeshme në pasojat shëndetësore të Covid19, me zbritjen në zero të humbjes së
jetës, ulja në kufij të papërfillshëm e të prekurve dhe vazhdimi krahësimisht i
suksesshëm në shkallë rajonale e vaksinimit të popullatës, e bën të arsyeshme
lehtësimin e masave kufizuese të sotme.
Konfindustria vlerëson, se është e rëndësishme,
që sezoni turistik i vitit 2021 të jetë i suksesshëm për ekonominë kombëtare të
prekur rëndë nga pasojat e covid19, tërmetit të vitit 2019 dhe problematikat e
rënda thelbësore të sistemit. Lehtësimi i arsyeshëm i masave antipandemi është
një masë e rendësishme marketingu për suksesin e shumëpritur të sezonit
turistik.
|