Konfindustria, duke vlerësuar pasojat e jashtëzakonshme
dhe afatgjata të krizës globale të energjisë mbi ekonominë kombëtare, kërkon
nga qeveria e Shqipërisë të themelojë Fondin Emergjent dhe Strategjinë e Menaxhimit
të Krizës Energjitike. Gjithashtu, krijimi i Tregut të Përbashkët të Energjisë
Shqipëri- Kosovë është domosdoshmëri dhe duhet përshpejtuar.
Konfindustria kërkon, që në llogari të Fondit
të Energjisë të kalojnë përvec të tjerash edhe financimet e plota ose të
pjesshme, që sot bëhen për koncesione, PPP me rëndësi jo parësore si dhe fondet
e investimeve kapitale jo të rëndësishme.
Krijimi i një kompanie të vetme të tipit
holding, që do përfshinte KESh dhe OSSHE dhe mënjanimi i të tretëve/sekserëve “
në shitje- blerjet e energjisë do të krijonte kushtet për uljen e kostove financiare
të paarsyeshme të mëdha të sotme dhe do ishte masë efektive kundër korrupsionit
masiv.
Konfindustria vlerëson, se pasojat e krizës
globale të energjisë do të jenë shkatërrimtare për biznesin prodhues,
industritë dhe qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës me falimentime masive,
papunësi dhe deri rrezikim të rendit kushtetues, nëse nuk merren masa parandaluese.
Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha
mundësitë natyrore dhe të veçantive të sistemeve energjitike, që me vullnet
politik jo vetëm të përballojnë me sukses krizën energjitike botërore, por edhe
të kenë përfitime të mëdha strategjike.
Shqipëria prodhon pothuaj 100% të energjisë
nga uji me kapacitete të instaluara, që tejkalojnë me afër 30 të nevojave të
saj. Kosova ka rezerva linjiti me rëndësi botërore. Sa më sipër i bën shtetet
shqiptare pothuaj të pavarura nga ndryshimet e tregjeve të energjisë nga gazi i
Rusisë. Pa përmendur potencialet mjaft të mëdha dhe krejt të pashfrytëzuara të
energjisë diellore, erës, etj.
|