Konfindustria vlerëson, se ndryshimet e fundit
të ligjit të buxhetit të shtetit të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë për
pjesën e mbetur të vitit financiar 2022, nuk ofrojnë zgjidhje mbështetëse për
krizën energjitike të shpallur.
Konfindustria, duke patur parasysh pasojat e
jashtëzakonshme dhe afatgjata të krizës globale të energjisë mbi bizneset,
qytetarët dhe ekonominë kombëtare, i ka kërkuar qeverisë të themelojë Fondin
Emergjent të Përballimit të Krizës së Energjisë si pjesë kryesore e ligjit të
ndryshuar të buxhetit.
Konfindustria kërkon, që në rradhë të parë në llogari të Fondit të Energjisë të kalojnë -shpenzimet
operative dhe kapitale jo të domosdoshme të gjithë institucioneve, agjensive dhe kompanive publike
pa përjashtim. Gjithashtu, në Fond duhet të kalojnë edhe financimet e plota ose
të pjesshme, që sot bëhen për koncesione, PPP me rëndësi jo parësore si dhe
fondet e investimeve kapitale jo të rëndësishme.
Konfindustria vlerëson, se bashkimi në një kompani
të vetme të tipit holding, që do përfshinte KESh dhe OSSHE, mënjanimi i të tretëve
“ në shitje- blerjet e energjisë, ulja e humbjeve shumë të mëdha të sotme prej
mbi 20% dhe rishikimi i shpenzimeve të kompanive publike të energjisë, përfshi
OST do të krijonte kushtet për uljen e kostove financiare të paarsyeshme të
mëdha të sotme dhe do ishte masë efektive kundër korrupsionit.
Konfindustria vlerëson, se pasojat e krizës
globale të energjisë do të jenë shkatërrimtare për biznesin prodhues,
industritë dhe qytetarët , me falimentime masive, papunësi dhe deri rrezikim të
rendit kushtetues, nëse nuk merren masa parandaluese.
Çmimet e deritashme për biznesin në Shqipëri
janë më të shtrenjtat në rajon dhe çdo rritje e mëtejshme do të jetë e papërballueshme
sidomos për industritë. Gjithshtu, goditje të fortë do të marrin buxhetet
familjare, nëse do të zbatohet plani qeverisë për të paguar me cmime tregu pothuaj
5 herë më të larta sesa sot sasinë e energjisë të shpenzuar mbi fashën 800 kw.