Konfindustria vlerëson, se ndërhyrja e Bankës
së Shqipërisë në tregun valutor, për të përballuar zhvleftësimin e fortë të Euro-s
kundrejt Lek-ut do të ishte pa asnjë ndikim dhe do të përfundonte në humbje të
rënda dhe të panevojshme financiare. Ndihma e domosdoshme afatshkurtër për
kategoritë e prekura të bizneseve duhet të kryhet nëpërmjet një paketë të jashtëzakonshme
financiare të qeverisë.
Përfundimi i mësipërm vjen duke patur parasysh
mënyrën e sotme të ndërtimit dhe funksionimit të sistemit ekonomik dhe
financiar kombëtar si dhe varësinë e fortë të tij në natyrën në masë të madhe
informale të flukseve valutore të huaja. Në harkun e një viti financiar
2022-2023 monedha Euro është zhvleftësuar në mbi 9% kundrejt Lek-ut duke prekur
rëndë industritë dhe prodhimin vendor dhe sidomos eksportet shqiptare. Vetëm
industria e manifakturës përllogaritet të ketë humbje mbi 200 milion euro nga
mbiçmimi i panatyrshëm i Lek-ut. Grupet e bizneseve importuese janë përfituesit
kryesorë të dobësimit të tejskashëm të sforcuar të Euro-s kundrejt Lek-ut.
Konfindustria kërkon, që ndërhyrja për
mbrojtjen e industrive dhe prodhimit vendor, sidomos të eksporteve, duhet të kryhet
nëpërmjet një pakete të ndërthurur ndihme financiare të drejtëpërdrejtë për
kategoritë më të prekura si dhe masa fiskale për uljen e kostove. Masat fiskale
ndihmëse mund të fillojnë nga ulja e taksave dhe çmimeve të energjisë
elektrike, të karburantit, të sigurimeve shoqërore, etj.
Konfindustria vlerëson, se ndërhyrja nga
ekzekutivi, me paketë të ndërthurur financiare dhe fiskale, duhet të jetë sa më
e shpejtë në kohë. Kategori të gjera të industrive dhe prodhimit vendor si
manifaktura, industria e birrës dhe e pijeve alkoolike dhe joalkoolike,
industria ushqimore, prodhuesit bujqësorë dhe blegtoralë, etj.rrezikojnë
seriozisht deri në falimentim. Sidomos, eksportuesit rrezikojnë seriozisht
mbijetesën e tyre në kushtet e fuqizimit nga shkaqe, që në masë të madhe tejkalojnë
shpjegimet ekonomike ligjore të Lek-ut kundrejt Euro-s.
|