Konfindustria vlerëson, se çfarëdo të ishte
vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi në thelb kërkesën e opozitës
për shfuqizimin e Bordit të Karburanteve, nuk pritej të sillte asnjë lehtësim të
kostove për bizneset dhe qytetarët.
Nisma politike e opozitës, për të shfuqizuar
Bordin e Karburanteve, mund të kishte ndikim pëmirësues te kostove për
qytetarët dhe bizneset vetëm, nëse do të paraprihej dhe shoqërohej nga krijimi
i Entit Rregullator të Karburanteve/ERRK, sipas modeleve të ngjashme të
sukseshme në Rajon. Tregu i karburanteve ka qarkullim vjetor në mbi 11% të PPB
me mbi 1.5 miliard $/vit, duke qenë nga më të mëdhenjtë e ekonomisë kombëtare.
Arsyeja e përfundimit të mësipërm është
mungesa e konkurencës së lirë në tregun e karburanteve si pasojë e pranisë së
oligopoleve dhe marrëveshjeve të tipit kartel. Mungesë e qartë e standarteve të
konkurencës vërehen sidomos në pjesë të caktuara të zinxhirit tregëtar si shërbimet
portuale, depozitimit dhe tregëtisë me shumicë të karburanteve. Autoritetet përgjegjëse
janë treguar të paafta për të garantuar standartet e konkurencës në tregun
strategjik të karburanteve.
ERRK duhej të ishte agjensi e përhershme, në
varësi të Kuvendit të Shqipërisë dhe i përbërë me profesionistë. Bordi i
Trasparencës i deritashëm është me kohë të pjesshme, është në varësi të
ekzekutivit dhe përbehej, në përplasje të qartë interesi, në gjysmën e antarëve
vendimarrës, pikërisht me përfaqësues të subjekteve, që duhet të ishin objekt kontrolli.
Shqipëria ka çmimet krahësimore të karburanteve
nga më të larta në nivel kontinenti dhe më gjerë. Kostot rriten edhe më shumë
nga standartet e dobëta të cilësisë dhe vjedhjet me volumet në pikat e shitjes
me pakicë. Mjaft problematike paraqitet edhe kontrabanda masive e karburanteve
në vlera deri në 300 milionë$/vit, shoqëruar deri në thyerje të shpeshtë
embargo me vende si Rusia, Irani, Libia, etj.
|